Haxhiu kërkon dënim maksimal për vrasësin e gruas në Ferizaj, paralajmëron veprime edhe nga Ministria

1 minute, 12 seconds Read

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas rastit tragjik që ndodhi sot në Ferizaj ku një grua u vra dhe një i mitur është plagosur. I dyshuari që u arrestua rreth gjysmë ore pasi shtiu dyshohet se është ish-burri i saj.

Haxhiu tha se aktualisht është në komunikim me institucionet përgjegjëse “që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës”.

Ajo tha se gratë ende s’janë të sigurta dhe se të gjitha institucionet duhet të punojnë për të adresuar fenomenin e femicidit.

Postimi i plotë:

Edhe një jetë u shua sot!

E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal.

Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve.

Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës.

Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta!

Publikime te ngjashme