Futbollisti 16-vjeçar, Olti Hyseni shkaktoi një furtunë në mediat shqiptare ditën e djeshme, 28 mars, me deklaratën e tij “ndihem danez” dhe duke refuzuar Kosovën. Mirëpo, sipas babait të tij, Flamurit, e gjitha kjo ka qenë një keqinterpretim dhe se e verteta qëndron krejtësisht ndryshe.
Pasi pa furtunën e shkaktuar në media nga deklarata e të birit, Flamuri ka reaguar duke treguar se si qëndron e vërteta pas atyre fjalive të bujshme. Sipas tij, Olti kë lavdëruar punën që Kombëtarja daneze bënë dhe se ai asnjëherë nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
“Siguroj të gjithë opinionin shqipëtar se ka keqinterpretim në deklaratën e tij dhe se e vërteta e kësaj deklarate qëndron në atë se Olti asnjëherë s’është kontaktuar nga agjentë të Kombëtares së Kosovës, andaj edhe ka thënë që nuk ka mundur ta konsiderojë si opsion që të luaj për Kosovën për këtë periudhë kohore”, tha fillimisht Flamuri.
“Olti ka theksuar se ndihet danez vetëm për nga shkaku që është lindur, rritur dhe jeton në Danimarkë dhe që çdo gjë në përditshmërinë e tij siç është puna, shkollimi por edhe çdo gjë lidhet me këtë shtet”, vijoi ai.
Më pas, Flamuri tregon dhe keqinterpretimin e “famshëm” tashmë.
“Gazetari gjerman e ka pyetur: ‘Kur ti ke dy nacionalitete, ke prejardhje nga Kosova e ke nënshtetësi daneze, cilën kombëtare dëshiron të zgjedhësh?’. Olti i është përgjigjur citoj ‘jam mirë me Danimarkën’ sepse ka qenë i zgjedhur nga Kombëtarja daneze, ka thënë nuk e mendoj Kosovën sepse nuk më ka ardhur ftesë nga Kosova”, shpjegoi babai i Oltit.
Përsa i përketë ndjenjave kombëtare shqiptare, Flamuri thekson: “Olti as edhe një herë nuk ka thënë se nuk ka ndjenjë shqiptare, dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë ata që e njohin nga afër Oltin, madje olti shikon çdo ndeshje të Kombëtares kosovare dhe asaj shqiptare, kuptohet kur nuk është vetë i angazhuar në lojën e futbollit në ato çaste”.
“Olti çdo pushim vjetor e bën me familjen në Kosovë edhe pse mundësitëe janë që të kalojë kudo ato pushime, çdo herë Kosova është opsioni i parë”, shtoi ai.
Pavarësisht se nuk është thirrur kurrë nga Kosova, Flamuri tregon se Shqipëria ka bërë kontaktet e para për afrimin e 16-vjeçarit në ekipin U-21 dhe se ai ka pasur kontakte edhe me Sylvinho-n.
“Të jemi të sinqertë Shqipëria U-21 e Alban Bushit para tre muajsh ka kontaktuar dhe ka shprehur haptas interesim për talentin 16-jeçar, madje edhe vetë trajneri Sylvinho është interesuar, mirëpo jo edhe Kosova”, tregon Flamuri.
“Olti për momentin është pjesë e Kombëtares U-17 të Danimarkës por kjo aspak nuk përjashton mundësinë që ai në të ardhmen të luaj edhe për vendin ku u lindën prindërit e tij”, vijoi ai.
Në fund të deklaratës së tij, Flamuri, babai i Olti Hysenit, shprehehet se: “Si përfundim Olti është krenar që është shqipëtar dhe është shumë krenar me Kosovën dhe historinë e saj”.
“Olti ka shumë punë për të bërë përpara tij, shkrimet e portaleve do të jenë veç motiv shtesë që ai të shkëlqejë në botën e futbollit pse jo edhe për Kosovën tonë të dashur”, përfundon Flamur Hyseni.
Deklarata e Olti Hysenit
Në një intervistë për median vendase, “Der Nordschleswiger”, Hyseni tregon për historinë e familjes së tij dhe refuzimin që i ka bërë Kosovës së fundmi.
“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai im nuk kishte nënshtetësi daneze dhe nuk u lejua të qëndronte. Në vitin 2007 mori lejen e qëndrimit dhe erdhi në Danimarkë, një ditë para se të lindja unë”, u shpreh Hyseni fillimisht.
“Kam ndjesinë se ka pak Kosovë te mua, por jam më danez. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu dhe të luaj për Kosovën nuk është pjesë e konsideratës sime”.
“Ndihem danez, dhe Danimarka ka gjithashtu kombëtaren më të mirë”, shtoi 16-vjeçari.
Hyseni, deri më tani, ka përfaqësuar Danimarkën në nivelin U-16 dhe U-17, ku në total numëron shtatë gola në 11 paraqitje.