Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, nga ky institucion thonë se ka akoma hapa në proces

2 minutes, 49 seconds Read

Pas vendimit për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, Këshilli i Evropës ka konfirmuar kryetari i Komisionit për Çështje Politike ka pranuar notën verbale nga Qeveria e Kosovës në lidhje me zhvillimin e fundit.

Por, ndryshe nga deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, nga Këshilli i Evropës thanë se akoma nuk janë caktuar datat për mbledhjet për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse, sipas tyre, nuk mund të caktohen data pa përfunduar debatet në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

“Nuk është e mundur të ketë data përfundimtare për këtë, pasi ka disa hapa në proces. Asambleja mund të vazhdojë me debatin dhe votimin për këtë çështje vetëm pasi Komisioni për Çështje Politike të ketë miratuar draft-opinionin e tij dhe dy komisione të tjera të kenë dhënë pikëpamjet e tyre”, tha për Kallxo.com, zëvendësshefi i Divizionit të Komunikimit në Këshillin e Evropës, Agnus Macdonald.

Kështu u përgjigj Këshilli i Evropës në pyetjen nëse qëndrojnë datat e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti për kohën që parashihet të mbahen mbledhjet për Kosovën.

Kryeministri Kurti më 13.03.2024 tha se më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Evropës.

“…kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në fund të majit është Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, tha Kurti.

Sipas përgjigjes së Këshillit të Evropës, data e vetme që është caktuar deri më tani është 27 marsi, në të cilën është caktuar një mbledhje për çështjet politike të Asamblesë në Paris, në të cilën raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion.

“Siç e dini, pasi Asambleja të ketë dhënë opinionin e tij statutor, çdo vendim përfundimtar mbi aplikacionin e Kosovës* për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës”,tha Macdonald, duke iu referuar Kosovës me fusnotën e cila i është vënë Kosovës me anë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti pasi dha lajmin që i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës të nisë zbatimin e aktgykimit të Kushtetueses, e arsyetoi këtë veprim duke thënë që ky ishte kushti kryesor për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjidhje të tretë”, tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha që si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk i pëlqen ky vendim siç e quan ai të çuditshëm e të padrejtë. /Kallxo.com

Publikime te ngjashme