Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Sami Lushtaku, u lirua nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë mbrëmë pas gati një orë ndalimi nga Gjykata Speciale.
Sinjali mësoi se pas intervistimit rreth një orësh, Lushtaku është lënë i lirë, teksa i është sekuestruar telefoni i tij personal.
Avokati i tij, Artan Qerkini, ka konfirmuar se Lushtakut i është sekuestruar telefoni.
“Ky veprim bie ndesh me ligjin. Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësi pasi i është marrë telefoni”, ka thënë avokati, duke paralajmëruar ankesë në Dhomat e Specializuara.
Djali i tij, Mërgim Lushtaku, i tha Sinjalit se sipas avokatit, Lushtaku është ndaluar vetëm për telefon.
“Po, janë duke biseduar me avokatin, pasi sipas të gjitha gjasave është vetëm për telefon. Sipas avokatit vetëm për telefon dhe ende është në zyret e EULEX-it“, tha ai për Sinjalin.
Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar të pyetur, nga Dukagjini në lidhje më këtë ngjarje, duke mos dhënë detaje kanë thënë se “ZPS-ja është duke kryer operacione të vazhdueshme.”
“Nuk mund të them asgjë më shumë”, kanë thënë nga ZPS-ja./GazetaSinjali