Skandali i MD-së në betejën me përmbaruesin privat, paralajmërohet përfshirja e policisë

5 minutes, 34 seconds Read

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar përfshirjen e Policisë së Kosovës për ekzekutimin e një vendimi administrativ që ka të bëjë me lëndët e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, të shkarkuar këtë vit.

Të mërkurën e 6 gushtit, një Komision i formuar nga Ministria e Drejtësisë do të shkojë në zyrën e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha për realizimin e procedurës së transferimit të lëndëve të tij te përmbaruesit e tjerë në territorin e Prishtinës.

Ilir Mulhaxha e ka kundërshtuar këtë proces.

Ai konsideron se fushëveprimi i këtij komisioni ad-hoc të themeluar nga Ministria e Drejtësisë në mars të këtij viti, është i kundërligjshëm dhe arbitrar.

Në një letër dërguar anëtarëve të komisionit të martën, përfaqësuesi ligjor i përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha pretendon se vendimi për themelimin e komisionit i cili ka për qëllim transferimin e lëndëve të tij te përmbaruesit e tjerë në Prishtinë, është i paligjshëm.

Sipas përfaqësuesit të Mulhaxhës, Ministria e Drejtësisë ka vepruar kundërligjshëm kur me rastin e shkarkimit të tij nuk e ka emëruar një zëvendësues për transferimin e lëndëve.

“Sido që të jetë, obligimi ligjor i Ministrisë në rastin e shkarkimit të përmbaruesit privat është joambiguoz dhe i qartë: caktimi i zëvendësuesit të përmbaruesit privat. Prandaj, çfarëdo veprimi i këtij Komisioni nuk është në përputhje me procedurën e paraparë me Ligj”, thuhet në një njoftim të përfaqësuesit ligjor të përmbaruesit Mulhaxha, dërguar komisionit të MD-së.

Po ashtu, përfaqësuesi ligjor i Mulhaxhës argumenton se MD-ja, pasi ka ndërmarrë hapa të kundërligjshëm në çështjen e tij, është përpjekur t’i mbulojë veprimet e saj përmes ndryshimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore në korrik të këtij viti, rreth katër muaj pas themelimit të komisionit.

“Ministria e Drejtësisë, këtë gabim në hapa procedural ka tentuar ta adresoj me propozim ndryshimet e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, ashtu që Kuvendi i Kosovës në muajin Korrik ka miratuar me Ligjin Nr. 08/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-137 për Procedurën Përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-118 (“Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Procedurën Përmbarimore”). Ky ligj  ka hyrë në fuqi me datë 24 gusht 2023”, thuhet në përgjigjen e përfaqësuesit të Mulhaxhës.

Mulhaxha pretendon se të gjitha përpjekjet e Ministrisë për të realizuar këtë proces sipas procedurës paralele, “janë në kundërshtim të hapur me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”.

“Anëtarët e këtij Komisioni do të kenë qasje në të dhënat personale të palëve të përfshira në procedurat përmbarimore. Mbrojtja e këtyre të dhënave është punë parësore e institucionit të Përmbaruesit Privat dhe vetëm Përmbaruesi Privat ka të drejtë përpunimin e këtyre të dhënave. Qasja e Komisionit, i cili është i përbërë nga persona të cilët nuk janë të emëruar si Përmbarues Privat do të prodhoj shkelje të parimeve bazë të mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet në përgjigje.

Përfaqësuesi ligjor i Mulhaxhës, po ashtu shpreh shqetësim për procesin të cilin do ta realizojë nesër Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë në zyrën e përmbaruesit privat për transferimin e lëndëve të tij.

“Pra, ne ende nuk jemi në dijeni si do të realizohet evidentimi i lëndëve, si do të përcaktohen tarifat e lëndëve të kryera nga përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, gjatë kohës sa ishte në këtë funksion, dhe çka do të ndodhë me mjetet të cilat kanë mbetur të bllokuara në llogaritë e përmbaruesit, e të cilat janë kryer nga z. Mulhaxha. Këto mjete dhe të gjitha tarifat e efikasitetit të cilat janë mbledhur dhe gjenden në llogaritë e përmbaruesit privat, nuk guxojnë dhe nuk duhet të trajtohen si pjesë e transferimit të lëndëve, ngase për ato mjete z. Mulhaxha, ka ndërmarrë veprime ligjore konform procedurave përmbarimore të cilat janë zhvilluar, andaj këto mjete duhet të i takojnë vetëm z. Ilir Mulhaxha”, thuhet në përgjigje.

MD-ja e ka njoftuar Mulhaxhën se nëse kundërshton procesin, atëherë aty mund të përfshihet Policia e Kosovës.

Mulhaxha ka thënë se do të jetë prezent nesër në zyrën e tij nga ora 09:00 deri në orën 10:00, ku do t’i presë anëtarët e komisonit ad-hoc të MD-së.

“Pas kësaj kohe i njëjti [Ilir Mulhaxha] është i obliguar që të udhëtojë jashtë vendit, për disa arsye personale e për të cilat ka edhe dëshmi të biletave të udhëtimit. Procedura e Komisionit, tutje mund të vazhdojë ditëve në vijim pa asnjë pengesë”, e ka njoftuar përfaqësuesi i tij, Komisionin e MD-së.

Suspendimi i përmbaruesit, Ilir Mulhaxha ishte bërë vitin e kaluar për shkak të një lënde të përmbarimit të një borxhi të Telekomit të Kosovës.

Megjithatë, vendimi i marrë asokohe nga ministrja Albulena Haxhiu, për suspendimin e Ilir Mulhaxhës konsiderohej anti-ligjor.

Ministria e Drejtësisë e kishte pezulluar nga puna përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, i cili ishte në një proces të përmbarimit në mes të Telekomit të Kosovës dhe Kompanisë Dardafon, pasi këta të fundit në vitin 2019 kishin fituar arbitrazhin ndaj Telekomit për mospërmbushje të kontratës.

Përmbarimi ishte përcjellë me vendime në të gjitha shkallët e gjykatave si dhe shumë polemika mes kreditorit dhe debitorit dhe vetë përmbaruesit privat në këtë mes.

Vendimi për pezullimin ishte bërë pas propozimit të inicimit të procedurës disiplinore nga ana e Telekomit, në departamentin për profesione të lira, më 29 nëntor 2022.

Ky propozim, është trajtuar në kohë rekord nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e cila kishte nisur procedurën disiplinore dhe ende pa kaluar java, më 6 dhjetor 2022, kishte marrë vendim për pezullimin e përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha.

Ai ishte shkarkuar në shkurt të këtij viti me vendim të zëvendësministrit Blerim Sallahu.

Publikime te ngjashme