Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, mund të hiqen ose shtohen, por kjo varet nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë një burim në Bruksel, që shtoi se për çështjen e masave, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë rundit të fundit të dialogut më 14 shtator.
Sipas burimit, Borrell i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim. Por, rundi i dialogut dështoi pa një ujdi, pasi siç tha blloku evropian, Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.
Zyrtari i BE-së, i tha REL-it se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.
Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor./GazetaSinjali