Zogaj: Vuçiqi e di se nuk ka shpëtim

2 minutes, 26 seconds Read

Analisti politik Skënder Zogaj, thotë letra e politikanëve kryesorë perëndimor është gjë e mirë për Kosovën.

“Lëvizja më e angazhuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe SHBA-ve ndaj krizës së improvizuar serbe në Kosovë, ka filluar të jetë më konkrete, sepse tashmë po nxirret nën giotinë Aleksandar Vuçiqi, kryelojtari i destabilizimit të Ballkanit. Kjo është gjë shumë e mirë për Kosovën e cila duhet të jetë shumë e kujdesshme, dhe nëse nuk mund ta ndihmojë, të paktën mos të bëhet pengesë e iniciativës së BE, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë që të bëjnë punën e tyre!”, pohon Zogaj.

Image

Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, pas kësaj Vuçiq nuk mund të mashtrojë më dhe e di se ai nuk ka shpëtim.

“Ky është shans i madh sepse, Vuçiqi nuk mund të mashtrojë më, e ka harxhuar kohën e qeverisjes dhe të qenit argat i Rusisë, e cila është në fazë të rëndë. Vuçiqi e di se nuk ka shpëtim prandaj ka me u përkulë dhe me ua puthë këmbët të fortëve!”, deklaron Zogaj.

Letra e politikanëve perëndimorë gjithashtu kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi.

“Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politike ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.

Në letër politikanët perëndimorë kanë bërë thirrje të kthehet ekuilibri në proporcionaliteti në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike.”

Gjithashtu, këta politikanë kanë shprehur shqetësimin për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën.

Ndryshe, në disa raste, edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kishin fajësuar faktorin ndërkombëtar për qasjen e butë ndaj Serbisë, gjë që shpesh kishte nxituar edhe reagime të ndryshme.

Publikime te ngjashme