Kurti me kritika për Sistemin e Dretësisë: “Drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë”

2 minutes, 8 seconds Read

Kryeministri i Kosovës e ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë.

Në fjalën hyrëse në Mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë se ka shumë raste të njohura që shkalla e parë e gjykatës e ka dënuar me burgim të përjetshëm derisa e ka liruar Gjykata Supreme.

Sipas tij, në raste të tilla ka pas nevojë të ngritët shoqëria, siç ka thënë Kurti, sikur në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, në mënyrë që dënimi të jetë meritor për të akuzuarin.

“Janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, qoftë të liruar nga organet apo edhe të pandjekur fare penalisht, e të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë.

Edhe raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.

Nuk mungojnë edhe rastet më ekstreme, madje tashmë të njohura edhe për publikun, kur nga dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit, Gjykata Supreme, kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin, në një proces maratonik gjyqësor, të gjykuar dhe rigjykuar.

Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngritët shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi.
“Përveçse sjellin drejtësi për viktimat dhe të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi jo të ligjshëm e penal, duke ndikuar kështu edhe në parandalimin e krimeve.

Niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë, vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera”, tha Kurti.

Publikime te ngjashme