Ziadeh kërkon themelimin e Asociacionit: Implementimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit i largon nga krizat Kosovën dhe Serbinë

2 minutes, 19 seconds Read

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe udhëheqësja e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka kërkuar sërish nga Kosova që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ziadeh, në fjalimin e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit ka deklaruar se me zbatimin e këtij elementi do të ofroheshin zgjidhje për palët.

“Një tjetër element i marrëveshjeve kryesore që mund të ofrojnë zgjidhje është marrja e hapave të sinqertë krahas themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Implementimi i plotë i marrëveshjes së fundit nga BE-ja është bërë prioritet edhe më i madh për t’u ikur krizave që na kanë dalë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ka përmendur tensionet që kanë ndodhur në të kalurën, duke kërkuar sërish që të merren masa për sulmin në Banjë.

“Vazhdojmë të theksojmë kërkimin e përgjegjësi për këtë incident shumë serioz të sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla”.

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe udhëheqësja e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh

Ajo ka përmendur edhe procesin e shkarkimit të kryetarëve në Veri.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, serbët e Kosovës në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan kanë mbledhur një numër të mjaftueshëm të nënshkrimeve për të nisur tërheqjen e kryetarëve në Veri nga zgjedhjet e prillit 2023-së, që ishin zgjedhur nga më pak se 4 për qind të votuesve për shkak të vendimit të serbëve për të mos marrë pjesë”.

Ndërkaq, ka theksuar se do të vazhdojnë ta mbështesin dialogun.

“Nga pikëpamja jonë do të vazhdojmë ta përkrahim dialogun që përkrahet nga BE-ja. Në vitet e kaluara ka pasur shumë probleme për të ndërtuar marrëdhënie të qeta përmes dialogut”.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit më 18 mars të 2023-së.

Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Publikime te ngjashme