Gjatë një konference të posaçme për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbardhur zhvillimet më të fundit rreth procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Kurti bëri të ditur se pas një bashkëbisedimi me kandidaten Hatixhe Hoxha, ajo ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u tërhequr nga gara presidenciale. Megjithatë, ky vendim mbetet i kushtëzuar nga vullneti i LDK-së për të siguruar 15 nënshkrimet e nevojshme për kandidatin e saj alternativ.
Shefi i ekzekutivit theksoi se LDK-ja e ka rrugën e hapur dhe lirinë e plotë për të nominuar cilindo profil që dëshiron. Më pas, kreu i shtetit do të zgjidhej në mënyrë demokratike, përmes një procesi të votimit të fshehtë nga deputetët.
“Kam komunikuar me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe ajo pajtohet të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për të nominuarin e saj, kushdo qoftë ai. Lëvizja Vetëvendosje i plotëson 15 nënshkrimet e mbetura dhe kështu do të kishim një ballafaqim mes një kandidati nga LVV dhe një nga shoqëria civile. Unë ndodhem në katin e dytë të Kuvendit, pikërisht këtu mund të më gjejë LDK-ja”, u shpreh Kurti./lajmishqip.net
