Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë me vendosmëri ftesën e fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke deklaruar se nuk do t’i japë atij mundësinë për të kapur të gjitha institucionet e vendit. Ky reagim i ashpër erdhi pasi Kurti ofroi tërheqjen e kandidates Hatixhe Hoxha në këmbim të 15 nënshkrimeve nga LDK-ja.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka cilësuar këto lëvizje të kreut të qeverisë si të vonuara dhe thjesht “drama të momenteve të fundit”.
Ajo rikujtoi se LDK-ja e ka dhënë në mënyrë unanime mbështetjen e saj partiake me 15 nënshkrime për kandidatin e tyre. Sipas saj, ka qenë e qartë që nga dita e parë se pozita e presidentit duhet të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike ose me konsensus të gjerë.
“Po imponohen kandidatë herë me shumë vota e herë me zero vota. Ky tha se nuk do të nxjerrë kandidatë partiakë, por i nxori dy të tillë. Ky është realiteti dhe kjo është fytyra e vërtetë e një kryeministri të pasinqertë,” deklaroi ashpër Lushaku-Sadriu.
Më tej, ajo sqaroi se 15 nënshkrimet janë ekskluzivisht për kandidatin që vendos LDK-ja, duke theksuar fjalët e kryetarit të partisë se ajo mund të jetë Vjosa Osmani, pa asnjë dilemë nga ana e tyre.
Dilema e vetme për LDK-në, sipas saj, ishte se ftesa e Kurtit synonte thjesht prodhimin e një kandidateje të dytë fasadë, vetëm për t’i hapur rrugë Lëvizjes Vetëvendosje që të zgjedhë të preferuarën e saj.
“Çfarë jemi duke bërë ne? T’ia japim atij mundësinë t’i kapë të gjitha institucionet? Populli nuk ia ka dhënë këtë të drejtë,” theksoi shefja e deputetëve të LDK-së.
Në përfundim, Lushaku-Sadriu u shpreh se kryeministri ka pasur plot katër muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Ajo theksoi se nënshkrimet e tyre janë për kandidaten që voton LDK-ja e jo për të bërë numra, ndërsa veprimet aktuale të Kurtit i quajti tentativa për të krijuar përshtypjen e rreme se gjoja ka ende hapësirë për negocim./lajmishqip.net

