Vuçiq organizon antiprotestë karshi revoltës gjithpopullore në Serbi

2 minutes, 10 seconds Read

Një kundër tubim i organizuar nga presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, është caktuar për sonte në orën 18:00 në shtetin serb, si kundërpërgjigje ndaj protestave të mëdha të qytetarëve të pakënaqur në mbarë Serbinë.

Protestat “Serbia kundër dhunës”, të cilat çdo të premte janë gjithnjë e më masive, organizohen për shkak të gjendjes në vend dhe pakënaqësisë në rritje të qytetarëve pas dy masakrave që ndodhën në Serbi në fillim të muajit. Atëherë u vranë 18 persona, përfshirë dhjetë fëmijë, raporton N1.

Vuçiq u bëri thirrje anëtarëve dhe qytetarëve të SNS-së që tani t’i përgjigjen tubimit të tij dhe njoftoi se në të nuk do të flasë si kryetar i partisë, por si president i Serbisë.

“Nuk do të mbaj fjalim politik, partiak, as që besoj se do t’i përmend kundërshtarët tanë politikë. Mendoj se Serbisë do t’i drejtohem me një plan afatgjatë, do të jem president i të gjithë qytetarëve, që kështu do t’u drejtohem atyre dhe do të tregoj se si dhe në çfarë mënyre mendoj se mund të dalim nga e gjithë kjo”, tha Vuçiq.

Prej ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë ftesat për mbështetësit e SNS-së të cilëve do t’u sigurohet transporti për në Beograd, do të sigurohet sanduiçe dhe ujë. Ka edhe mëditje, sipas përdoruesve të mediave sociale që postojnë telefonata dhe mesazhe si dëshmi.

Në tubimin e organizuar nga Vuçiq po vijnë edhe politikanë nga entiteti i Bosnja-Hercegovinës, Republika Srpska, e në mesin e tyre është edhe presidenti i këtij entiteti, Milorad Dodik.

Shkuarjen në tubim e kanë konfirmuar edhe disa politikanë dhe anëtarët të Frontit Popullor të Malit të Zi.

Një ditë pas tubimit (e shtune) të Vuçiqit do të organizohet protesta e katërt “Serbia kundër dhunës”, raporton nova.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore, Miroslav Aleksiç, tha se dhuna po e shkatërron Serbinë dhe jetën e qytetarëve të saj dhe se presidenti i SNS-së, Aleksandar Vuçiq nuk ia doli kurrë të bëhet president i të gjithë qytetarëve.

Në protestat e organizuara të premten e kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë të pakënaqur të Serbisë thërrisnin, “Vuçiq jep dorëheqje”.

Po ashtu, qytetarët e mbledhur kërkuan shkarkimin e shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin dhe ministrit të Policisë, Bratislav Gashiq.

Publikime te ngjashme