Vuçiq: Kurti po do ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n

1 minute, 28 seconds Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të shtunën se është dëshira e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n, por që sipas tij, ajo rrugë duhet shmangur.

Në një paraqitje në TV Prva, transmeton Nezavisne, Vuçiq e ka akuzuar Kurtin se po gënjen kur po thotë se Kosova po armatoset për shkak të bazave serbe afër kufirit me Kosovën.

“Aty bazat tona kanë ekzistuar që nga konflikti me NATO-n, tani janë edhe më pak. Ai po kërkon arsye të mjaftueshme për marrëzitë që thotë, për ta tërhequr Serbinë në konflikt me NATO-n. Kjo është dëshira e tyre politike dhe ne duhet ta shmangim atë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se shpreson se Serbia do ta ruajë paqen, “se ne do të bëjmë më të mirën dhe për këtë ka, biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”. Vuçiqi beson se duhet të bëhet më shumë përpjekje nga pala serbe dhe theksoi se nuk ka asgjë më të vlefshme se paqja.

Sipas Vuçiqit, kur disa njerëz reagojnë emocionalisht dhe thonë se duhet “gjithsesi t’i japim fund”, kjo do të thotë se këta njerëz, siç thotë presidenti serb, nuk i kuptojnë pasojat.

“Është një zgjedhje më e mirë të mos lejojmë që diçka e tillë të ndodhë. Ne po bëjmë përpjekje të madhe, po heshtim për mizoritë që vijnë nga Prishtina, po reagojmë butësisht, jo sepse është shenjë e dobësisë sonë, por e përgjegjësisë. Do të shohim nëse do të kemi sukses në këtë”, ka thënë Vuçiq.

Publikime te ngjashme