Vojvoda i përgjigjet provogimit të gazetarit rumun: “Në zemrën tonë është flamuri i Kosovës, jemi të lindur nga lufta dhe…”

1 minute, 14 seconds Read

Kombëtarja e Kosovës do të luajë nesër (e martë) në udhëtim ndaj Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Mërgim Vojvoda u paraqit në konferencën për media sonte në Bukuresht, përkrah përzgjedhësit Primoz Gliha.

Mes tjerash, drejt mbrojtësit tonë u bë edhe një pyetje provokuese nga një gazetar rumun.

Ai kërkoi një mendim nga Vojvoda rreth mesazheve politike të tifozëve rumunë, të cilët edhe në ndeshjen e parë ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri” kishin shfaqur një mesazh skandaloz ku thuhej: “Kosova është Serbi”.

“Ju vetëm këqyreni flamurin që kemi në zemër, në logon tonë. Nuk e kemi flamurin e Serbisë, por të Kosovës. Kjo nuk ndryshon për asnjë send. A thotë Rumania a jo. Ne e dimë kush jemi. Jemi të lindur prej lufte edhe kemi me u bo ma të fortë se guri”, ishte përgjigja e 28-vjeçarit nga Skenderaj.

Ndryshe, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës do të zhvillohet në “National Arena” të Bukureshtit, me fillim prej orës 20:45.

Ndeshja i takon raundit të gjashtë në Grupin I. Pas pesë ndeshjeve të para, Rumania ka mbledhur nëntë pikë dhe është e dyta në renditje – kurse, Kosova është e pesta me katër pikë.

“Dardanët” ishin takuar me rumunët në qershor të këtij viti. Ndeshja e zhvilluar në “Fadil Vokrri” ishte mbyllur baras dhe pa gola.

 

Publikime te ngjashme