“Vetura s’u ndal, polici shtiu me armë”: Çka dihet për incidentin në veri që i trazoi ndërkombëtarët?

4 minutes, 40 seconds Read

Gjatë mbrëmjes së kaluar një qytetar i nacionalitetet serb është plagosur. Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës njoftoi se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe disa operativë të saj, ndonëse një herë e kishte mohuar një gjë të tillë. Kjo ngjarje, siç edhe pritej, ka ngjallur shumë reagime, përfshirë të autoriteteve ndërkombëtare e atyre serbe. Çka ndodhi?

Siç njoftoi Policia e Kosovës, zyrtari në fjalë, që u përfshi në këtë plagosje, nuk kishte raportuar fare për gjuajtjet që kishte pasur dhe për një gjë të tillë është suspenduar.

Përveç tij, Policia ka njoftuar se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve tjerë të Policisë për përfshirjen e mundshme në rast.

Mediumi Kallxo.com ka raportuar se katër zyrtarë policorë janë duke u intervistuar dhe sipas tyre se i dyshuari për plagosjen është polici K. Pepaj, ndërsa tre policët e tjerë që kanë mohuar plagosjen dhe nuk kishin raportuar rastin janë S. Uka, M. Muqiqi, dhe F. Maloku.

Reagimet…

Së fundmi, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke dhënë informacione shtesë mbi këtë çështje,

“Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.” – shkroi ndër të tjera Sveçla.

Në karvanin e reagimeve të shumta u përfshi edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, duke treguar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shprehur shqetësimin për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes.

“ShBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur.” – shkroi z. Hovenier në Twitter.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, reagimin e ambasadorit amerikan Hovenier, e ka quajtur si qortim për shefat e shtetit.

Kjo që na ndodhi sot, një qortim i ambasadorit amerikan. Mos harroni, kur jepet qortimi për policinë, por ai qortim është për shefat e shtetit nëse e marrin vesh.” – ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.

Me reagimin e Hovenier nuk janë ndarë aspak të kënaqur Lista Serbe të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre duke u ankuar pse ambasadori Hovenier nuk e dënoi “tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës”.

Ky veprim i ambasadorit të shqetësuar, sipas Listës Serbe, është turpshëm dhe ndihmon në zvogëlimin e përgjegjësisë së atyre që kryen këtë vepre të dhunshme ndaj qytetarëve serbë.

“Lista Serbe dhe populli serb në Kosovë janë thellësisht të shqetësuar se ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, z. Hovenier, është i shqetësuar. Në vend që të dënojë qartë tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!? Vetëm pasi Lista Srpska reagoi dhe theksoi se Milan Jovanoviq ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit, të cilët ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, vonë pasdite, z. Hovenier i shqetësuar foli dhe e bëri këtë deklaratë të turpshme që zvogëlon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb” – thuhet mes tjerash në reagimin e Listës Serbe.

Ndërsa nga ana tjetër ka reaguar edhe Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë.

Në postimin e tyre, nga zyra e BE-së kanë thënë se të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit duhet të kryejnë një hetim të shpejt dhe të plotë.

BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.” – thuhet në reagim.

Reagim për incidentin ka bërë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ku ak thënë se Policia e Kosovës gënjeu gjithë ditën lidhur me këtë ndodhi.

”Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’– tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Petkoviq u shpreh se Policia e Kosovës gënjeu deri në momentin kur ministrit Sveçla iu kërkuan provat. Dhe sipas tij kjo ka ndodhur për të vetmen arsye, se i qëlluari është një serb./nacionale.com

Publikime te ngjashme