Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar datën 16 korrik për të shpallur vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Lidhur me këtë, avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar këtë datë si një moment kyç dhe një “test serioz për objektivitetin e gjykatës”, duke denoncuar një sërë shkeljesh që sipas tij e kanë shoqëruar procesin.
Në një reagim publik, Bajraktari ka argumentuar se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është përcjellë me problematika të shumta. Ai ka listuar si shqetësime kryesore mungesën e transparencës, stërzgjatjen e pajustifikueshme të procesit, mungesën e kredibilitetit të dëshmive, si dhe një qasje diskriminuese të prokurorisë në raport me mbrojtjen.
Sipas tij, parimi fundamental i objektivitetit dhe barazisë së palëve në procedurë është cënuar seriozisht që në themel të funksionimit të kësaj gjykate. “Objektiviteti apo parimi i barazisë së palëve/armëve në procedurë, është bazë dhe fundament i garantimit të një gjykimi të drejtë,” ka theksuar Bajraktari, duke shtuar se ky parim është cenuar nga vetë mënyra se si është ideuar Gjykata Speciale.
Avokati ka shprehur shqetësim edhe për veprimet e trupit gjykues, ‘veçmas njërit prej anëtarëve’, i cili sipas tij, në disa raste ka bërë pyetje orientuese dhe të ndaluara për dëshmitarët. Për këtë arsye, ai e sheh vendimin e ardhshëm si një tregues domethënës. “Vendimmarrja e cila do të publikohet më 16 Korrik, është një test i këtij shqetësimi dhe sinjal tejet domethënës për ecurinë e mëtejshme të këtij procesi të ndjeshëm,” ka përfunduar Bajraktari, raporton lajmishqip.