Vazhdon polemika e ministrit të Vuçiqit me zëdhënësen e Lavrovit pas kërkesës që Serbia t’i vendos sanksione Rusisë

2 minutes, 36 seconds Read

Ministri i Ekonomisë së Serbisë, Rade Basta ftoi zëdhënësen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Maria Zaharova “në një darkë tradicionale serbe, nëse di ku të vijë”. Në këtë mënyrë ai ka reaguar ndaj deklaratës së Zaharovës, e cila thirrjen e tij për Serbinë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë e cilësoi si mendim të çuditshëm.

Shpejt ka ardhur një përgjigje e re nga Zaharova, e cila gjithashtu e ka cilësuar këtë deklaratë si të çuditshme duke pasur parasysh se, siç tha ajo, paravosllavët tani janë në Kreshmën e Madhe.

“Ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, ftoi zëdhënësen e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, në një “darkë tradicionale serbe”, pasi ajo komentoi deklaratën e tij se Qeveria e Serbisë duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Dhe përsëri, një keqkuptim i çuditshëm i realitetit të përbashkët nga Rusia dhe Serbia. Të krishterët ortodoksë janë tani në Kreshmën e Madhe, gjë që e bën të pamundur shijimin e një “darke tradicionale serbe”. Por pas Pashkëve, do të jem i lumtur ta prish agjërimin me hamburgera dhe qebapa. Unë e di ku të shkoj – ne kemi shumë restorante të shkëlqyera të kuzhinës serbe. Duke pasur parasysh se zoti Basta nuk mund t’ju kontaktoj për shkak të sanksioneve jolegjitime antiruse që ju ftoni të bashkoheni, jam duke pritur në Moskë”, u përgjigj Zaharova – Bastës.

Ministri i Ekonomisë Rade Basta ka kërkuar që Qeveria e Serbisë të shpallë urgjentisht vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

“Vendi ynë tashmë po paguan një çmim të rëndë për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe po bëhet i padurueshëm. Unë si ministër i Ekonomisë nuk mund të pranoj se sa presion po i bëhet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ne heshtim. Prandaj jam për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, qëndroj pranë presidentit Vuçiq në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare dhe kam besim absolut tek ai. Për këtë arsye kërkoj nga Qeveria e Serbisë dhe të gjithë ministrat që të deklarohen për këtë çështje”, tha ai me atë rast.

Në mesazhin e saj, duke reaguar ndaj kësaj deklarate, Zaharova tha se “ministri serb i Ekonomisë ka një mendim të çuditshëm kur thotë se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, e cila gjithmonë e ka respektuar Serbinë dhe popullin e saj”.

“Një qëndrim i çuditshëm: Amerika po i bën presion Serbisë dhe ministri serb po bën thirrje për qëndrim kundër Rusisë. “Ndoshta do të ishte më mirë që ministri serb të shprehej me vendosmëri kundër presionit ndaj vendit të tij”, ka shkruar Zaharova në Telegram. Ajo shtoi se Rusia, ndryshe nga SHBA-të, gjithmonë e ka respektuar Serbinë dhe popullin e saj.

Publikime te ngjashme