Që nga mbrëmja e së hënës, disa shoferë të kamionëve në territorin e Serbisë kanë vendosur barrikada për të bllokuar qarkullimin e kamionëve me targa të Kosovës, që çojnë drejt tri pikave kufitare Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo bllokadë është bërë në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar hyrjen e kamionëve me targa të Serbisë prej momentit kur policia serbe kidnapoi tre pjesëtarë të policisë së Kosovës afër Leposaviqit.
Përveç kamionëve, ndalesa po iu bëhet edhe autobusëve të udhëtarëve ndërsa automjetet e vogla po qarkullojnë normalisht.
Zyrtarë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit kanë rikonfirmuar edhe pasditen e sotme për IndeksOnline se pikat kufitare me Serbinë janë të hapura, por që kamionëve dhe autobusëve nuk po u lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës paralajmëroi të gjithë shqiptarët që po udhëtonin drejt Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, ose nëse veçse janë në territor të Serbisë, të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.
“Ju njoftojmë se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Protestuesit kanë bllokuar gjithashtu pikën kufitare në Bërnjak. Nuk është i sigurtë për momentin as kalimi i veturave” bëri të ditur mbrëmë MPJD./IndeksOnline