Ultimatumi i fundit i Trumpit: “Armada masive” drejt Iranit dhe përgjigja kërcënuese e Teheranit

1 minute, 52 seconds Read

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një paralajmërim të prerë Iranit këtë të mërkurë, duke deklaruar se “koha po mbaron” dhe se goditja e radhës “do të jetë shumë më e ashpër”. Ai i kërkoi Teheranit të reflektojë për një marrëveshje të re, teksa rikonfirmoi se një “armadë masive” tashmë është nisur drejt brigjeve iraniane.

Përmes një komunikimi të detajuar në Truth Social, Trump sqaroi se kjo flotë po “lëviz me shpejtësi, fuqi të jashtëzakonshme dhe qëllim të qartë”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një formacion ushtarak tejet të fuqishëm, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln”, përmasat e së cilës tejkalojnë flotën e dërguar më parë në Venezuelë.

Ai bëri të qartë se trupat janë në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e tyre, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës nëse situata e kërkon.

“Shpresojmë që Irani të ulet shpejt në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje të drejtë – PA ARMË BËRTHAMORE – një pakt që i shërben të gjitha palëve,” theksoi Trump, duke nënvizuar se faktori kohë është tashmë kritik.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi të fortë, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga ana e Teheranit, raportojnë burimet mediale.

Misioni i Iranit në OKB i është kundërpërgjigjur kërcënimeve të hapur të Donald Trumpit për ndërhyrje ushtarake.

Në deklaratën e tyre thuhet se “Irani mbetet i hapur për dialog, por vetëm mbi parimet e respektit dhe interesave reciproke”.

Megjithatë, paralajmërimi iranian ishte po aq i ashpër: “NËSE SHTYHEMI drejt murit”, Irani do të “vetëmbrohet dhe do të godasë si kurrë më parë!”.

Kujtojmë se Trump ka mbajtur një qëndrim luhatës sa i përket ndërhyrjes, sidomos pas shtypjes së dhunshme të protestave dhe bllokimit të internetit nga regjimi i Teheranit.

Vlen të theksohet se Uashingtoni u bë pjesë aktive e ofensivës 12-ditore të Izraelit në qershor, që kishte si synim asgjësimin e kapaciteteve bërthamore iraniane përmes sulmeve masive ajrore amerikane./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme