Ukraina terrorizon rusët, qindra dronë mbi Moskë, viktima e banesa të shkatërruara!

1 minute, 38 seconds Read

Ukraina e çon luftën në dyert e rusëve, teksa lëshoi mbi 140 dronë kundër fuqisë kryesore bërthamore në botë.

Në sulmin më të madh që prej shpërthimit të konfliktit me Rusinë, Kievi shënjestroi Moskës dhe Rusinë perëndimore duke vrarë të paktën një grua, duke shkatërruar dhjetëra banesa e duke detyruar mbylljen e aeroporteve kryesore në kryeqytet.

Guvernatori i Moskës Andrei Vorobyov njoftoi se dy blloqe apartamentesh kishin marrë flakë në zonën e Ramenskoye, 50 km larg Kremlinit. Një grua 46-vjeçare kishte humbur jetën atje sipas tij, tre persona ishin plagosur dhe 43 të tjerë ishin evakuuar në qendrat e përkohshme akomodimi.

“Ishim në gjumë. Unë u zgjova për të shkuar në punë, hodha një vështrim nga dritarja dhe pashë një shpërthim të madh”, tha një rus.

Autoritetet ruse pretendojnë se kanë rrëzuar të paktën 20 dronë në rajonin e Moskës dhe 124 të tillë në 8 rajone të tjera. 3 nga 4 aeroportet e Moskës u mbyllën për trafikun ajror pas sulmeve dhe dhjetëra fluturime kombëtare e ndërkombëtare u pezulluan. Një rrugë e rëndësishme që çon drejt kryeqytetit u mbyll përkohësisht.

Video të postuara në rrjetet sociale tregojnë flakët që dalin prej dritareve të godinave rezidenciale shumëkatëshe, ku dhjetëra apartamente u dëmtuan. Teksa forcat ruse avancojnë në Lindje të Ukrainës, Kievi po përpiqet ta çojë luftën në Rusi, me një inkursion të guximshëm në rajonin e Kurs dhe me sulme masive me dronë, thellë në territorin rus.

Moska i ka barazuar këto me akte terrorizmi dhe është zotuar të hakmerret. Edhe Rusia ndërmori dhjetëra sulme me dronë “Shahed” gjatë natës kundër Ukrainës, me shumicën e tyre që u rrëzuan nga forcat ajrore. U lëshuan gjithashtu raketa balistike Iskander-M dhe ato ajër tokë, Kh-31.

 

Publikime te ngjashme