“U arrestova për shkak të kritikave ndaj Haxhiut”, MD i reagon Berishës: Për shpifjet dhe akuzat e rënda, do të ketë një proces gjyqësor

2 minutes, 42 seconds Read

Avokati Besnik Berisha sot në konferencë për media ka folur lidhur me arrestimin e tij ditë më parë, nën dyshimin për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Para gazetarëve, avokati Berisha tha se arrestimi i tij ishte skandaloz dhe arbitrar dhe sipas tij, është bërë për inate personale dhe për shkak të kritikave që i ka bërë publikisht ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E pas këtyre deklaratave kanë reaguar nga Ministria e Drejtësisë.

Shefi i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni përmes një postimi në Facebook ka thënë se dy ditët e fundit ka të pavërteta dhe akuza të rënda ndaj MD-së dhe ministres Haxhiu.

Ai tha se edhe më keq, kur kjo bëhet nga të dyshuar të Prokurorisë për vepra penale.

“Kur shpifjet dhe akuzat mbesin argument kryesor. Dhe ende më keq, kur kjo bëhet nga të dyshuar të Prokurorisë për vepra penale”, ka shkruar mes tjerash Nimoni.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Kur shpifjet dhe akuzat mbesin argument kryesor. Dhe ende më keq, kur kjo bëhet nga të dyshuar të Prokurorisë për vepra penale.

Dy ditët e fundit, jemi dëshmitarë të shumë të pavërtetave dhe akuzave të rënda në drejtim të Ministrisë dhe Ministres Haxhiu. Kjo bëhet në studio televizive dhe hapësirë publike, duke mos kursyer fjalët më shpifëse dhe ofenduese, e të cilat bien në kundërshtim edhe me etiken dhe sjelljen profesionale të cilën do të duhej ta kishte një avokat. Për çdo keqardhje niveli dhe gjuha e tillë.

Madje shqetësuese ishin edhe deklarimet të cilat shkonin deri në nivel kërcënimi për zyrtarë shtetëror.
Edhepse po tentohet t’i jepet konotacion politik, rasti nuk është i tillë – politik, ndonëse personi në fjalë ka pasur angazhim e të kaluar politike dhe mbase avokon për subjekt të caktuar politik.

Ministria e Drejtësisë qëndron larg dhe e papërlyer në këtë rast që do të duhej zhvilluar normalisht dhe profesionalisht në Gjykatë.

Nuk është aspak në rregull që veprimet dyshuese inkriminuese, të cilat duhet zbardhur në një proces fer dhe të drejt gjykimi, të arsyetohen me gjuhen dhe konotacionin politik, supozues dhe ofendues.

Beteja është ligjore me organet e drejtësisë, jo politike me Ministren për raste të tilla.

As që bëhet fjalë se liria e shprehjes, për këdo, është e garantuar, për çka, fort është punuar. Mirëpo kur kjo kalon në nivel ofendimi e shpifje, e besa edhe kërcënimi ndaj zyrtarëve shtetëror, atëherë kjo mbetet punë për organet përgjegjëse, njëjtë siç do të duhej të ishte zbardhja e dyshimeve të përmendura për këtë rast.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në mandatin e saj, pa u përfshirë në procese të tilla të cilat i takojnë organeve të tjera. Ndërsa për shpifjet dhe akuzat e rënda, do të ketë një proces tjetër gjyqësor.

Publikime te ngjashme