Tri vrasje për pak ditë: Çka po ndodh me sigurinë në Kosovë?

3 minutes, 29 seconds Read

Ditët e fundit në Kosovë kanë qenë tragjike, me tri vrasje që ndodhen brenda një periudhe të shkurtër. Një grua mbeti e vdekur në Fushë-Kosovë pasi u hodh nga dritarja e një hoteli, dy persona të tjerë vdiqën pas gjuajtjes me armë zjarri në dy lokale, njëri në Prishtinë e tjetri në Klinë. Po ashtu, policia konfirmoi se një grua në Deçan ka kryer vetëvrasje.

Brenda pak ditëve tre persona u vranë në Kosovë. Rastet tragjike shkaktuan reagime të shumta. Gjatë javës që lamë pas një grua argjentinase vdiq pasi një burrë me inicialet E.N e hodhi nga dritarja e një hoteli.

Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi se të dyshuarit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Si arsyetim për këtë masë është marrë edhe fakti se i pandehuri është shtetas i Zvicrës dhe se “nëse gjendet në liri i njëjti do të mund të ikte me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale…”

Një person mbeti i vdekur e dhjetëra të tjerë të lënduar pas një gjuajtje me armë zjarri në një lokal në kryeqytet.

Deri më tani, dihet se vrasja erdhi si pasojë e dy grupeve, ndërsa policia konfirmoi se pati mosmarrëveshje mes disa të dyshuarve.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhej në raportin e Policisë.

Një vrasje ndodhi edhe dje në qytetin e Klinës. Tush Frroku shtiu disa herë me armë në drejtim të Anton Prelës, me të cilin u raportua se kanë marrëdhënie familjare.

Pasi vrau viktimën, Frroku është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti nuk është arrestuar ende nga Policia e Kosovës.

Këta të fundit, kanë publikuar fotografinë e tij në rrjete sociale, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët.

“Personi i kërkuar është: – TUSH (Nue) FRROKU i lindur me 25.06.1975 në fshati Kosh-Istog. I dyshuari është i kërkuar për veprën penale: – “Vrasje” Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Prokuroria në anën tjetër ka autorizuar të gjitha pikat kufitare për vëmendje të shtuar dhe kontrolle, në mënyrë që t’i pamundësohet të dyshuarit largimi nga vendi.

Një çift bashkëshortor vdiqën brenda një dite në Bjeshkët e Deçanit. Siç raportoi “Klan Kosova”, një banor i fshatit ka deklaruar se fillimisht gruaja pësoi infarkt, ndërsa burri duke tentuar t’i dalë në ndihmë, ka pësuar sulm.

“Ata kanë qenë në Bjeshkë. Vdekjet kanë qenë natyrale. Gruaja ka pësuar infarkt. Burri është munduar t’i dal në ndihmë gruas, duke shkuar tek disa fqinj ka pësuar sulm.” – citohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme një grua është gjetur pa shenja jete në fshatin Isniq të Deçanit.

Siç raportoi Sinjali, burime nga Prokuroria kanë konfirmuar se një grua është gjetur e varur në oborrin e shtëpisë së saj. Sipas raportimit, ajo është dërguar pa shenja jete në Qendrën Familjare të Mjekësisë Ligjore, ku është konstatuar vdekja e saj.

Kosovëvrasje

Publikime te ngjashme