Shahin Dervishaj ka njoftuar zyrtarisht largimin nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Baden-Württemberg të Gjermanisë, duke shënuar një goditje të radhës për strukturat e kësaj partie në diasporë.
Përmes një reagimi publik në rrjetin social Facebook, Dervishaj ka bërë të ditur se udhëheqja qendrore e PDK-së ka tentuar ta bëjë atë “kurban” për dështimin elektoral të partisë në mërgatë.
“Kryesia e PDK-së në mënyrë të vazhdueshme ka tentuar të na faturojë dështimin në mërgatë, një akuzë kjo që nuk ka asnjë bazë. Kontributi ynë ka qenë maksimal dhe plotësisht i pastër, pa interesa personale apo përfitime financiare, por i shtyrë vetëm nga vullneti dhe përgjegjësia ndaj vizionit të partisë”, ka deklaruar ai ndër të tjera.
Dervishaj ka gishtuar drejtpërdrejt “individë të caktuar” si përgjegjës për rezultatin e dobët, duke i akuzuar ata për ndërhyrje flagrante që kanë rezultuar me përçarje të pariparueshme brenda strukturave.
“Përgjegjësia kryesore për debaklin elektoral në mërgatë rëndon mbi ata individë që me ndërhyrjet e tyre direkte shkatërruan unitetin dhe demotivuan aktivistët tanë më besnikë. Këto veprime minuan punën e ndershme të atyre që kontribuan pa kalkulime, prandaj faji nuk mund t’u lihet atyre që punuan, por atyre që mbollën përçarjen”, ka përfunduar ai./lajmishqip.net
