Tensionet tregtare SHBA-BE ulin çmimet e naftës

1 minute, 55 seconds Read

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë pranë nivelit të 68 dollarëve, të nxitura nga shqetësimet në rritje të investitorëve se tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, kërkesën për naftë.

Në bursën e Londrës, çmimi i naftës së papërpunuar shënoi një rënie prej 87 centësh gjatë pasdites, krahasuar me mbylljen e ditës së mëparshme, duke u tregtuar në nivelin e 68,68 dollarëve për fuçi.

Në tregun amerikan, nafta me afat dorëzimi në muajin gusht u kuotua me 66,32 dollarë, duke pësuar një rënie prej 88 centësh. Ndërkohë, kontratat për dorëzim në shtator u tregtuan me 65,43 dollarë, një ulje prej 52 centësh, raporton lajmishqip.

Vëmendja e tregtarëve të martën ishte e përqendruar tek afati i fundit për një marrëveshje të mundshme tregtare midis BE-së dhe SHBA-së. Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se në mungesë të një ujdie, do të aplikohen tarifa doganore prej 30% mbi importet nga BE-ja, duke nisur nga 1 gushti.

Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, po analizon masat e mundshme të kundërpërgjigjes, ndërsa mundësitë për një marrëveshje të favorshme me Uashingtonin duken gjithnjë e më të pakta, bëjnë të ditur burime diplomatike evropiane.

Megjithatë, një faktor mbështetës për çmimet e naftës të martën ishte dobësimi i dollarit amerikan, i cili rrit fuqinë blerëse për investitorët me monedha të tjera, duke stimuluar kështu kërkesën.

Çmimet pësuan rënie “pasi frika nga një luftë tregtare e tejkaloi ndikimin mbështetës të një dollari më të dobët,” shpjegon në një analizë Tony Sycamore i kompanisë IG. Një rënie edhe më të thellë të çmimeve e frenuan marzhet më të larta fitimi, si pasojë e niveleve të ulëta të rezervave, theksojnë analistët.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka bërë të ditur se çmimi referencë i shportës së saj të naftës, ditën e hënë, shënoi një rënie prej 32 centësh, duke arritur në 70,65 dollarë për fuçi, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme