Të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur gjatë mëngjesit të së hënës në Veternik të Prishtinës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se plagosja dyshohet se ka ndodhur pas një rrahjeje mes disa personash, e cila ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë ajo.
Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
“Policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë më tej Ahmeti.