Sveçla thotë se është koha e fundit që të rritet efikasiteti i institucioneve të drejtësisë

2 minutes, 34 seconds Read

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së mbrëmshme në Prishtinë dhe dënimin që morën dje me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqa dhe Arber Sejdiu me 15 vjet burgim.

Ministri Sveçla tha se është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë. Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, ka shkruar ia në ‘Facebook’.

Sipas tij, në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia.

“Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme”, tha ai.

Ai tha se drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre. Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla , theksoi se drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. “Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë”, tha ai.

Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar, sipas Sveçlës do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!.

Publikime te ngjashme