Sveçla publikon emrat e të arresturve në veri: Kanë foto me zyrtarë të lartë serbë dhe sulmonin Policinë e Kosovës

1 minute, 45 seconds Read

Të dielën, Policia e Kosovës, përmes një aksioni në veri, shkatërroi tre laboratorë të hashashit, si dhe arrestoi disa persona të dyshuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes llogarisë në Twitter, ka thënë se disa dilerë kanë foto me zyrtarë serbë.

“Të dielën Lista Srpska dhe Petkoviq janë acaruar nga disa reagime. Çështja është e thjeshtë: me laboratorët, trafikantët e drogës dhe kriminelët që përdoren si mjete politike, fasada false nuk zgjat më shumë se deri në aksionin e radhës të policisë. Tetë laboratorë droge u zbuluan brenda 24 muajve dhe vetëm sot u gjetën tre laboratorë droge”, tha ai.

Sveçla shtoi se pronarët e tyre janë: Miljan Deleviq, Ivan Slaviq, Dushan Slaviq dhe Nikola Filgjokic, të cilët më herët ishin të gjithë të përfshirë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Ata vendosin barrikada dhe frikësojnë qytetarët serbë që refuzuan të bashkëpunojnë me ta. Pas këtyre sulmeve, ata u vizituan nga ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe Petkovic, ndërsa u mbështetën dhe mbroheshin nga Vuçiq, Lista Srpska dhe Milan Radojcic.

Tutje Sveçla theksoi se ministrat serbë të përfshirë në këto instrumentalizime me bandat kriminale do të donin që këto foto dhe video të mos ekzistonin, por e kanë dhe japin prova të forta se çfarë fshihet pas të ashtuquajturës “politikë” të tyre.

Ndërkaq, Lista Serbe, i ka reaguar Sveçlës, duke e akuzuar se po mundohen që ta politizojnë atë.

Lista Serbe tha se as ata, e as Petkoviq dhe Vuçiq nuk mbështetin aktivitetet kriminale të asnjë personi, “por veprimtaria e paligjshme e një personi nuk mund të jetë arsyetim për veprimet e njësive speciale [të Policisë së Kosovës] në veri”.

Kjo parti ka hedhur poshtë pretendimet e Sveçlës se bashkëpronar i një prej laboratorëve të drogës është personi që sulmoi Policinë e Kosovës muajin e kaluar.

Publikime te ngjashme