Sveçla pas aksionit të Policisë në Prizren: Do të vazhdojmë angazhimin…

1 minute, 29 seconds Read

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë sot se dukuria e prodhimit dhe futjes në qarkullim të monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet fakt tejet shqetësues përveç që një akt i tillë është edhe vepër penale.Ai tregoi se Policia e Kosovës dhe akterët tjerë të sigurisë janë të angazhuar maksimalisht në lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal.

Kësisoj, i pari i MPB-së u shpreh se njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar me sukses operacionin në Prizren që rezultoi me arrestimin e dy personave, sekuestrimin e parave të falsifikuara dhe sekuestrimin e pajisjeve që kanë shërbyer për prodhimin e tyre.

“Do të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me akterët e sigurisë për reagim ndaj çdo veprimtarie që prekë dhe dëmton mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Policisë, totali i parave të sekuestruara është 1,704 euro monedha metalike (nga dy euro).“Pas kontrollit të automjeteve, në automjetin e parë janë gjetur: Monedha në sasi prej 850 x 2 = 1700 euro. Ndërsa ne automjetin e dytë janë gjetur: Monedha në sasi prej 2 X 2=4 euro, një kallëp metalik rrethor i zbrazët i monedhës metalike dy euro (shabllon), pesë copa te vogla metalike rrethore të monedhës dy euro (shabllone) dhe katër telefona mobil”, njoftoi Policia të martën.

“Me urdhër të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpi, pronë e të dyshuarve: B.D. dhe T.K., të njëjtit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës. Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”.

Publikime te ngjashme