Shkelzen Ahmeti është i dyshuari kryesor për sulmin me armë zjarri, që la të plagosur pronarët e lokalit ‘Republika’ Driton dhe Jon Stublla, si dhe një klient. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, teksa Ahmeti ndodhet ende në arrati. Ai është i biri i ish-kryeshefit të ‘KRU Gjakova’, Ismet Ahmeti.
Shkelzen Ahmeti përgjatë viteve 2016-2017 ishte vënë në pranga nga Policia e Kosovës. Kjo, pasi që në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Gjakovë bashkë me një ish-zyrtar tjetër kishte tjetërsuar identitetin e një personi.
Për falsifikim të dokumenteve, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi Ahmetin më 2020-ën me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.
Edhe babai i Shkelzenit, Ismet Ahmeti kishte pasur probleme me ligjin. Sa ishte ish-kryeshef i ‘KRU Gjakova’, e kishte deklaruar pasurinë rrejshëm. Për këtë, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua më dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Në aktakuzën kundër tij thuhej se ai nuk e kishte shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme, duke paraqitur pagën mujore 1 mijë e 290 euro, (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave të siguruara nga kompania e ujësjellësit shuma totale e të hyrave rezulton të jetë shuma neto prej 18 mijë e 933 euro./Gazeta Insajderi