Subvencionimi për tekstet shkollore, MASHTI del me njoftim për prindërit që s’po mund të aplikojnë për fëmijët nën 6 vjet

1 minute, 24 seconds Read

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka dalë me një sqarim të shtunën për prindërit të cilët nuk po mund të aplikojnë për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore për fëmijët e tyre që janë nën 6 vjet.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se rastet e veçanta kur një fëmijë është regjistruar më herët se mosha 6 vjeçare në klasën e parë po trajtohen duke e dërguar numrin personal të fëmijës, emrin e shkollës dhe Komunën në emailin libri@rks-gov.net.

Kelmendi më tej ka treguar se në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri në ora 16:00 janë pranuar 32 mijë e 800 aplikime.

“Sistemi është duke funksionuar mirë dhe me mbështetjen e MPB-së dhe AShI-së ekipet do të ofrojnë shërbim për mbështetje teknike edhe ditëve të fundjavës prej orës 09 deri në 16 në numrin 0800 30 900. Shtëpitë botuese tashmë i kanë publikuar çmimet e kopertinës së librave dhe ato nuk mund rriten. Po ashtu kanë publikuar pikat e shitjes për të gjitha Komunat”, ka shkruar ai.

Në platformën online të Qeverisë së Kosovës, e-Kosova, është hapur më 25 gusht linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Procesi i aplikimit është përcjell me disa probleme teknike, pasi disa prindër janë ankuar në rrjete sociale se platforma e-Kosova nuk po lejon aplikimin për fëmijët që janë nën moshën 6-vjeçare.

Publikime te ngjashme