Pjesë të ndryshme të Evropës po përballen me një valë moti ekstrem, i cili e largoi shumë shpejt atmosferën festive të fillimvitit. Furia e natyrës u përplas fort mbi Ballkan gjatë ditës së Ujit të Bekuar, duke sjellë reshje të dendura shiu e bore, ndërprerje të energjisë dhe një bilanc tragjik në Bosnje, ku një grua humbi jetën. Pasi rreth 40 centimetra borë mbuluan Sarajevën, viktima ndërroi jetë në spital si pasojë e goditjes nga një pemë që u rrëzua nën peshën e borës.
Reshjet e dendura të dëborës kanë paralizuar po ashtu lëvizjen në Holandë. Aeroporti i Schipholit në Amsterdam raportoi anulimin e rreth 600 fluturimeve, ndërkohë që ekipet e emergjencës punuan pa ndërprerje për pastrimin e pistave dhe shkrirjen e akullit nga avionët. Parashikimet tregojnë se bora do të vazhdojë edhe gjatë pjesës tjetër të javës.
Bilancin më të rëndë të viktimave e shënon Franca, me pesë të vdekur. I ftohti i hidhur i bëri rrugët tejet të rrezikshme; tre persona humbën jetën në aksidente të shkaktuara nga “akulli i zi” në jugperëndim të vendit, ndërsa një shofer taksie humbi jetën pasi automjeti i tij doli nga rruga dhe përfundoi në lumë në rajonin e Parisit.
Në Romë, reshjet e vazhdueshme prej javësh kanë rritur nivelin e lumit Tiber, i cili ka dalë sërish nga shtrati, duke zbehur kremtimet e Papa Leonit XIV. Sheshi i Shën Pjetrit ishte vetëm pjesërisht i mbushur me besimtarë nën çadra për bekimin e Epifanisë. Kryetari i bashkisë, Roberto Gualtieri, ka kufizuar aksesin në parqe dhe zona të rrezikuara nga përmbytjet apo rënia e pemëve. Ndërkohë, temperaturat kanë rënë ndjeshëm edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku në veri termometri shënoi -12.5 gradë Celsius, duke mbyllur qindra shkolla dhe duke bllokuar qarkullimin rrugor, hekurudhor e ajror.
Moti i ligë vazhdon të mbjellë kaos edhe në pjesën tjetër të Ballkanit. Në Serbi, disa komuna perëndimore kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa erërat e forta dhe deti i trazuar kanë goditur ashpër vijën bregdetare të Adriatikut në Kroaci dhe Mal të Zi./lajmishqip.net
