Stoltenberg thotë se ruset kanë pësuar humbje të mëdha në Bakhmut, ai do të bie në ditët e ardhshme

1 minute, 25 seconds Read

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se qyteti ukrainas i vijës së frontit, Bakhmut, mund të bjerë në duart e rusëve në ditët e ardhshme.

“Ajo që po e shohim është që Rusia po hedh më shumë trupa, më shumë forca dhe atë që i mungon në cilësi, po mundohet ta mbulojë me sasi. Ata kanë pësuar humbje të mëdha, por, në të njëjtën kohë, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që Bakhmuti mund të bjerë përfundimisht në ditët e ardhshme”- tha Stoltenbergu.

Ai foli në ditën e takimit të ministrave të mbrojtjes të BE-së në kryeqytetin suedez, Stokholm, raporton gazeta “The Guardian”.

“Është, gjithashtu, e rëndësishme që të vihet në pah se kjo nuk pasqyron domosdo një pikë kthese të luftës. Vetëm vë në pah se ne duhet ta vazhdojmë ofrimin e përkrahjes për Ukrainën”- shtoi zyrtari i lartë i aleancës ushtarake.

Në anën tjetër, grupi rus i mercenarëve, “Wagner”, pretendoi të mërkurën se e ka marrë nën kontroll pjesën lindore të qytetit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se rënia e Bakhmutit në duart e rusëve do t’i krijonte Moskës një “rrugë të hapur” për depërtimin e armikut më thellë në territorin ukrainas.

Luftimet e ashpra përreth këtij vendbanimi kanë qenë më të gjatat dhe më të përgjakshmet që nga fillimi i luftës, e cila është bërë shkak për vrasjen e mijëra njerëzve, shkatërrim të madh material e miliona njerëz të zhvendosur.

Publikime te ngjashme