Mëditje më të mëdha se pagat. Avancime të dyshimta. Mbajtje e pozitës jashtëligjshëm. Dëmtim i buxhetit të shtetit. Janë vetëm disa prej dyshimeve që për ATK-në i ka ngritur deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica. Insajderi sjell edhe dokumente që mbështesin denoncimet e tij publik.
Për krejt këto ka paralajmëruar deputeti Korenica. Ai në intervistë për Insajderin ka shpjeguar se si përgjegjës të Administratës Tatimore të Kosovës kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 2 milionë euro, duke paguar për një projekt i cili nuk është kryer.
Ai flet pikërisht për këtë kontratë të nënshkruar me një shtet që nuk e njeh Kosovën, Armeninë.
“…kam raportu për një rast në sistemin e IT-së që është lidh me një shtet, i cili nuk e ka njoftë Kosovën, Armenia, e që prapa saj ka qenë një nën kontraktor tjetër PBC-ja që e ka marrë përsipër implementimin e projektit e që janë pagu diku rreth 2.7 milionë euro, për punët të cilat nuk janë ekzekutu, është një shumë jashtëzakonisht e madhe. E që për këtë kemi kërkuar edhe informacione shtesë si anëtarë të Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere, që të na jepet në detaje komplet dosja e tenderit dhe pagesat të cilat janë realizu deri më tani”, ka thënë ai për Insajderi derisa shton se vendimin e paligjshme brenda ATK-së kanë ndikuar tek stafi dhe tek fryma e brendshme të këtij institucioni.
Dy persona që po dyshohet se dëmtuan buxhetin janë shpërblyer nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj. Hamit Mulaj, drejtor i Përgjithshëm, Mbështetja e Programeve në ATK dhe Ilir Islamin, Drejtor i departamentit për Shërbime Juridike në ATK.
Dyshja ishin pjesë e procesit të kontratës me një konsorcium nga Armenia, i cili ka dështuar të zbatojë një kontratë të lidhur me institucionin e tatimeve gati tre vjet më parë.
E që këtij konsorciumi iu janë paguar mbi 2 milionë euro por që asnjëherë nuk i kanë përfunduar punët.
Për çfarë kontrate saktë bëhet fjalë?
Zyrtarët e ATK-së kanë lidhur kontratë me kompaninë “IUNetworks”, e cila ndodhet në Yerevan të Armenisë. Ajo udhëhiqet nga sipërmarrësi Vahram Merangulyan.
Kompania e Merangulyan kryesoi konsorciumin privat në vitin 2020 duke fituar tenderin për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”, të vlefshëm 9.79 milionë euro.
Si rrjedhojë, bashkësia e kompanive që u shpërblyen me kontratë për modernizimin e sistemit të IT-së së administratës, ka dështuar të zbatojë kontratën.
Nga 15 janari, 2020, kur marrëveshja hyri në fuqi, konsorciumi privat nuk e ka zbatuar asnjë nen të kontratës.
Kompania “IUNetworks”, nuk ka dorëzuar ende asnjë shërbim rreth dy vjet pas nënshkrimit të kontratës, thotë një vlerësim i brendshëm i Administratës Tatimore të Kosovës.
Andaj, një ekip i ATK-së i ngarkuar me detyrën për menaxhimin e kontratës që peshon afër 10 milionë euro, i ka rekomanduar ekzekutivit të aplikojë dënime ndaj konsorciumit privat për mungesë të zbatueshmërisë së marrëveshjes.
Faza e parë e kontratës ka dështuar plotësisht, vlerëson rekomandimi i ekipit të brendshëm të ATK-së.
“Pas trajtimit të parashtresës së pranuar nga Ekipi për Menaxhimin e Kontratës ju njoftojmë se nga data 04.10.2020 do të fillojë aplikimi i dëmeve të likuiduara sipas nenit 12.6.1., 12.6.2., pika (a) të Kushteve të Veçanta të kontratës, me 0.25% në ditë të vlerës së produkteve”, paralajmëron ATK, kompaninë armene.