Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas plagosjes së qytetarit serb në komunën e Zveçanit mbrëmë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Hovenier është shprehur se SHBA-ja është thellësisht e shqetësuar, teksa ka kërkuar që institucionet kosovare të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
The U.S. is concerned about an incident in which a Kosovan Serb was shot in Zvecan/Zveqan last night. Kosovo Police officials and institutions must conduct a thorough, credible investigation. We are deeply concerned by the initial denial made without due diligence. 1/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) April 11, 2023
Kujtojmë se lidhur me rastin janë suspenduar katër zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Fillimisht Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen e Policisë në të shtëna me armë në veri të hënën mbrëma.
Por më pas, përmes një njoftimi është bërë se ditur se pas hetimeve është konstatuar se një zyrtar policor mund të jetë përfshirë në rastin, ndërsa ka njoftuar për suspendimin e katër zyrtarëve./GazetaSinjali