Serbia tërheq ushtrinë nga kufiri i Kosovës, konfirmon Shtëpia e Bardhë

1 minute, 48 seconds Read

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), John Kirby, ka njoftuar të martën se disa nga trupat e ushtrisë serbe tashmë janë tërhequr nga vija kufitare me Kosovën, ku ishin dislokuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Tërheqja e personelit ushtarak serb nga kufiri i Kosovës vjen vetëm një ditë pas konferencës së zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, i cili, derisa ka folur për këtë çështje, ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë mundur ta vërtetojnë se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, më herët gjatë ditës së hënë, ka theksuar se Serbia i ka tërhequr disa prej trupave të ushtrisë të vendosura pranë kufirit me Kosovën, porse SHBA-të kanë kërkuar që kjo të vërtetohet.

“Ne i kemi parë lajmet se Serbia i ka tërhequr trupat, por ne nuk kemi mundur ta vërtetojmë ende në mënyrë të pavarur këtë”, ka thënë Miller gjatë një konference për media, derisa ka shtuar se SHBA-të do të kërkojnë ta vërtetojë vetë dhe se “nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky është hap i mirëseardhur, diçka për të cilën bëmë thirrje të ndodhte javën e kaluar”.

Në linjën e ngjarjeve aktuale dhe rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve, përgjatë vijës kufitare me Kosovën, administrata amerikan ka vërejtur një “grumbullim të paprecedent” të ushtrisë serbe. SHBA-të dhe një pjesë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) i kanë bërë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat, përfshirë artilerinë, tanket dhe njësitë e këmbësorisë./Albania Post

Publikime te ngjashme