Sami Lushtaku nuk është intervistuar, por vetëm i është konfiskuar telefoni nga EULEX-i të premten mbrëma.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin avokati i tij, Artan Qerkini, i cili tha se arsyen nuk e dinë.
“Sami Lushtaku nuk është intervistuar në zyrat e EULEX-it, vetëm i është konfiskuar telefoni. Nuk e dimë pse se nuk na kanë dhënë arsye”, ka thënë Qerkini.
Ndërsa në një deklarim për media para zyrave të EULEX-it, ai ka deklaruar se ky veprim bie ndesh me ligjin.
“Z. Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësia pasi i është marrë telefoni mobil”, ka thënë avokati, duke paralajmëruar ankesë në Dhomat e Specializuara.
Për raportimet për ndalimin e Lushtakut ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.
“Siç po raportohet në media, Specialja e paska ndaluar në këto orë të vona z. Sami Lushtaku. Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudogjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar ai në Facebook.
Specialja pati aksion edhe të enjten. Me urdhër të Gjykatës Speciale një ditë më parë u bastis shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.
Artan Qerkini, që është edhe avokat i Selimit, ka konfirmuar se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar. Ai u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit dhe paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës. Qerkini tha se nuk mund të komentojë se a janë gjetur prova, apo është konfiskuar ndonjë dokument nga Prokuroria./Telegrafi