Rama darkon me Vuçiçin, i pranishëm edhe ambasadori amerikan e Alex Soros (Video)

2 minutes, 18 seconds Read

Pavarësisht përplasjes së qëndrimeve në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ata dërguan së bashku, ashtu siç ishte parashikuar edhe në agjendë.

Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, siguroi edhe pamje nga ambienti ku është mbajtur darka, ku i pranishëm mësohet se ka qenë edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e Alex Soros.

Në konferencën e përbashkët, nuk munguan përplasjet për disa qëndrime, me shefin e qeverisë shqiptare që vuri theksin në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shqyrtimin e draft-statutit të tij për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ajo që është në letër u është dorëzuar kumbarëve të planit franko-gjerman, Macron, Scholz, por edhe Michel. U takon palëve ta lexojnë ose jo, ta marrin ose të mos e marrin parasysh. Unë e konsideroj një kontribut pozitiv dhe vlerësoj se tërheqja zvarrë e asociacionit të komunave serbe është një gabim strategjik”, tha Rama.

“Vetëm ekipi menaxhues serb duhet të merret dhe të prezantojë draft-statutin, asnjë lider francez apo gjerman. Ata janë kumbarët e planit franko-gjerman, jo të statutit, sepse është plani i tyre, Serbia nuk e ka krijuar atë plan. Megjithatë, ne nuk i quajmë kumbarë ata që ju imponojnë diçka. Ne në Serbi, kumbarët i zgjedhim vetë. I ftojmë ata në pagëzime apo dasma, por nuk janë kumbarë ata që ju imponojnë vendime të caktuara”, tha Vuçiç.

Dy liderët adresuan dhe shqetësimet nëse veriu i Kosovës mund të shndërrohet në një Donbas të Europës, për shkak të krizave të vazhdueshme.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun kur gjendemi në një situatë që nuk duhet ta lejojmë të ndodhë, e cila mund të jetë e ngjashme me Donbasin dhe që do ta bënte të pamundur kthimin e situatës në qetësi”, tha Rama.

“Mendoj se askush që është normal nuk kërkon të shohë konflikt të çdo lloji. Lidhur me planin për shtensionimin, që foli Rama, i njoh përmendësh. Nga 3 pika Serbia ka realizuar 2, sepse duhet të veprojë edhe Prishtina. Të tërhiqen kryetarët e komunave dhe më pas të vijojmë. Ne duam paqe. E dimë që si në Tiranë dhe në Prishtinë, mendojnë se Serbia është fajtore. Por duhet te dini se si është situata, se si janë reagimet në veri. Nuk kam problem të takohem me Albin Kurtin, unë kam folur me të gjithë që nga Thaçi dhe kam kërkuar që të gjej zgjidhje”, tha Vuçiç.

Publikime te ngjashme