Quni mbron prokurorin Isufaj: E njoh nga kohërat e vështira

1 minute, 40 seconds Read

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i ka dalë në mbrojtje prokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili kohëve të fundit ishte në shënjestër të sulmeve nga pushteti.

Quni ka thënë se e njeh Isufajn nga kohërat e vështira, duke iu referuar luftës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që një prokuror si ai të respektohet pavarësisht deklaratave të zyrtarëve shtetërorë.

“Sot dua të flas për një dukuri që për mua është e pamoralshme. Këtu në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur nga analistët lojalë të pushtetit, është përfolur prokurori i Shtetit, Blerim Isufaj, duke u cilësuar si i padenjë për detyrën që e ushtron. Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, tekanjoz deri te përmasat e një mostrumi anti-kombëtar”, ka thënë Quni në Kuvend të enjten.

“Kur përgjithësimet e tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ato bëhen të besueshme edhe për një numër të madh qytetarësh. Do të ishte e besueshme edhe për mua po të mos e njihja personalisht. E njoh që nga kohërat e vështira, me përgjegjësi e them. Jam dëshmitar se si Blerimi me uniformën e UÇK-së i doli Zot atdheut. Ishte shembull i mirë i bashkëluftëtarit. Asnjë moment trishtimi, edhe kur e shihte vdekjen me sy. Ai vazhdoi një luftë tjetër kundër kriminelëve po aq të rrezikshëm për jetën e tij në mbrojtje të rendit dhe ligjit. Të nderuar qytetarë, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve shtetërorë ju vazhdoni ta respektoni atë sepse për njerëz të tillë ka nevojë Kosova, të pakompromis kundër të keqes”, ka shtuar deputeti i LDK-së./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme