Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, se po tenton të ndikojë drejtpërdrejtë në organet e hetuesisë. Sipas t ij, këto veprime të akterëve të Qeverisë janë për t’u frikësuar dhe të kundërligjshme.
Qalaj ka pretenduar se ministri i Brendshëm në fillim të marsit ka mbajtur për 12 orë në takim shefat e hetimeve për t’i raportuar atij.
Sipas deputetit të PDK-së, madje, takimi ka ndodhur jashtë objektit të Ministrisë së Brendshme.
“Në fillim të marsit, në objektin në Parkun Nacional në Blinajë, jashtë objektit të Ministrisë, Sveçla ka mbajtur në takim 12 orë shefat e hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor. Është e kundërligjshme, e tmerrshme, frikësuese dhe nuk guxon të ndodhë. Disa njësi japin llogari direkt, siç është Task-Forca, te Prokuroria Speciale dhe tash detyrohen që t’i raportojnë ministrit. U bëj thirrje që të largohen nga ndikimi i drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë, sidomos organet e ndjekjes.
Ata kanë udhëheqës, menaxher, është drejtori i Policisë që i jep llogari ministrit. Është e tmerrshme dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Qalaj në seancën e Kuvendit të enjten.