Protestat në Serbi dhe dorëheqja e mundshme e Vuçiqit

1 minute, 48 seconds Read

Mbrëmjen e së martës, serbët protestuan në Beograd kundër planit franko-gjerman.

Në protestën e mbajtur atje para Fakultetit Filozofik, protestuesit brohorisnin “Tradhti” dhe “Nuk do ta japim Kosovën”. Ata po ashtu thanë se ky plan është shkatërrues për Kosovën.

Profesori universitar Dorajet Imeri thotë se këto protesta janë të favorshme për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Ai dëshiron që përmes kinse këtyre si ta themi pengesave të brendshme të grupeve ultra-nacionaliste të fitojë njëfarë mbështetje, njëfarë favori se të shtyjë edhe për një kohë çështjen e marrëveshjes. dhe në këtë mënyrë pastaj të favorizohet në procesin negociues dhe të përcaktojë edhe pozitën e vet negociuese. Sikundër në anën tjetër ka edhe disa grupe që mund të jenë të ndikuara edhe drejtpërdrejt nga Rusia, mes rrymave të veçanta të shërbimeve sekrete të cilat edhe mund të mos jenë tërësisht në kontrollin e Vuçiqtit, por të cilat i ndihmojnë atij ta luaj këtë kauzë”, deklaroi Imeri.

Në anën tjetër është folur se Vuçiq mund të japë dorëheqje nga Partia Përparimtare Serbe. Kohëve të fundit mediat serbe kanë raportuar se ai po synon të themelojë një parti të re.

Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale, thotë se me paralajmërimet për një parti të re, Vuçiq po pretendon të rikthehet në pozitën e kryeministrit në Serbi.

“Lëvizjet e tij të fundit flasin që nuk përjashtohet mundësia që presidentit Vuciq po parasheh mundësinë që të kthehet si kryeministër i Serbisë, në ndonjë palë zgjedhje të ardhshme të cilat do të mund të mbaheshin shumë shpejtë, apo shpejtë pas marrëveshjes franko-gjermane… për t’u paraqitur si një lider që e lufton edhe krimin edhe korrupsionin edhe paraqitet si lider i paqes dhe stabilitetit dhe bënë një lloj distancimi nga strukturat dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Kamberi.

Pavarësisht këtyre, presidenti serb e ka pranuar planin evropian për normalizim.

Publikime te ngjashme