Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Info Magazina” në Klan Kosova, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka deklaruar se Kosova në këtë periudhë ka nevojë imediate për një figurë unifikuese në postin e presidentit.
Hasani ka sugjeruar se bashkëpartiaku i tij, Xhavit Haliti, është një personalitet që plotëson këtë kriter. Sipas tij, Haliti gëzon një profil politik që do t’i mundësonte të siguronte madje edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë të lartë shtetërore.
“Mendoj se Xhavit Haliti është njeriu që mund ta përballojë këtë përgjegjësi dhe të shërbejë si figurë unifikuese. Besoj se ai mund të marrë edhe mbështetjen e VV-së, duke qenë se ka përvojë të gjatë si ish-kryetar i Kuvendit dhe deputet. Ai nuk ka pasur konflikte me subjektet e tjera dhe konsiderohet një figurë e angazhuar politikisht që në fillimet e hershme,” u shpreh Hasani.
Në mbyllje të deklaratës së tij, deputeti Hasani ka sqaruar se ky propozim është një qëndrim i tij personal dhe nuk përbën një vendim apo nominim zyrtar të Partisë Demokratike të Kosovës./lajmishqip.net
