Pritjet e gjata në Merdare, ish-drejtori i Doganës tregon mundësitë për shmangien e kolonave

2 minutes, 9 seconds Read

Tashmë është bërë e zakonshme që gjatë muajve të verës, por edhe ndërrimit të moteve, sa herë që mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë të përballen me kolona të shumta. Pritjet e tyre zgjasin me orë të tëra, e këtë më së shumti e hasin në vendkalimin kufitar Merdare.

Situatë e njëjtë vijon të jetë edhe në këto momente, derisa pritjet në dalje të Merdares janë 5 orëshe.

Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica në një prononcim për Indeksonline thekson se kjo situatë krijohet shkaku i procedurave që zbatohen në kufi, sidomos vonesave prej palës serbe.

“Kolonat që krijohen në vendkalimet kufitare janë si pasojë e ardhjeve të shumta të mërgimtarëve për një periudhë të caktuar kohore. Në anën tjetër procedurat që zbatohen në kufi, sidomos prej palës serbe në dalje e vonojnë daljen e shpejtë, e kështu automatikisht krijohen numër më i madh i pritjeve”, u shpreh ai.

Huruglica thotë se ka mundësi të ndryshme që të shmangen kolonat, mirëpo duhet të ketë vullnet dhe bashkëpunim mes dy vendeve.

“Mund të bëhet sistemi kur vetëm njëra anë bën kontrollë, apo sistemi kur makinat kontrollohen në bazë të një vlerësimi të rrezikut, ku faktikisht jo çdo makinë të ndalet e të kontrollohet. Të shtohet numri i sporteleve. Sa kam informacione, pala serbe nuk ka rritur asnjë numër të zyrtarëve për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, përkundrazi ka vazhduar me numrin e njëjtë. Këto probleme, për këtë shkak paraqiten çdo vit me ardhjen e pushimeve verore”, njofton Huruglica.

Ish-drejtori i Doganës tregon se infrastruktura dhe blerja e policës së sigurimit krijon vonesa e tollovi në vendkalimet kufitare.

“Pala kosovare në përjashtim në Merdare dhe në Mutivodë, ku janë ndërtu vendkalimet e reja, kanë infrastrukturë shumë më të mirë, në vendkalimet Dheu i Bardhë dhe Leposaviç e Jarinje, nuk ekziston instrukturë e mjaftueshme për me i zgjeru shërbimet e doganës, në këtë rast të Policisë, pasi aty është vetëm një linjë ku futen edhe kamionët me mallra edhe veturat që hyjnë në Kosovë. Realisht me këtë infrastrukturë që ekziston dhe me procedurat, sidomos blerja e policës së sigurimit, që mërgimtarët e kanë obligim ta blejnë kur të futen në Kosovë, krijon vështirësi dhe vonosa, ku po krijohet tollovi dhe reagimet e mërgimtarëve”, tha ai./Indeksonline

Publikime te ngjashme