Presidentja Osmani për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë: Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar

1 minute, 13 seconds Read

“Triumf të jashtëzakonshëm të sportit kosovar” e ka cilësuar Presidentja Vjosa Osmani fitimin e kandidaturës nga Kosova për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Ajo ka përgëzuar Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara, derisa ka thënë se kjo ngjarje do të jetë frymëzim për shumë të rinj e të reja, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë. Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.

Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) është mbajtur në Heraklion të Greqisë, dhe Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

Kandidatura e Prishtinës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mori shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë kanë votuar 66 delegatë, nga të cilët 55 votuan pro, tetë kundër, ndërsa tre abstenuan.

Publikime te ngjashme