Ajo është ukrainase, por po planifikonte të vriste Volodimir Zelenskin. Një ditë më parë, SBU, Shërbimi i Sigurisë së Kievit, njoftoi arrestimin e një gruaje që po përgatiste një sulm kundër presidentit.
Gruaja e arrestuar është me origjinë nga Mykolaiv: emri nuk dihet ende, por dihet se ajo punonte si shitëse në një dyqan në një bazë ushtarake.
Ajo do të kishte qenë pjesë e një grupi që dyshohet se po planifikonte vrasjen e Zelenskit gjatë një vizite në qytetin jugor, disa kilometra larg frontit. Nëse shpallet fajtore, gruaja mund të dënohet deri në 12 vjet burg.
Mesazhi i shpërndarë në Telegram nga vetë SBU, thotë se gruaja u arrestua “në flagrancë”, ndërsa u transmetonte informacione konfidenciale oficerëve të ushtrisë ruse për lëvizjet e presidentit, duke përfshirë itinerarin e plotë të vizitës së tij në rajonin e Mykolaiv.
Rusët atëherë, sipas shërbimeve, dyshohet se do të urdhëronin një sulm ajror për ta vrarë, por plani tashmë ishte zbuluar dhe kështu ishin përgatitur “masa të mëtejshme sigurie”.
“Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës vazhdoi të dokumentojë veprimet kriminale të bashkëpunëtorit të armikut për të marrë të dhëna të reja për ‘bashkëpunëtorët’ e saj rusë dhe për detyrat e marra”, thuhet në deklaratë, e cila shoqërohet me një foto të gruas me fytyrën e saj të mbuluar, shkruan gazetasi.al.
SBU zbuloi se gruaja udhëtoi në zonën Ochakov, në brigjet e Detit të Zi, për të fotografuar sistemet e mbrojtjes dhe depot e municioneve ukrainase dhe për të shënuar vendndodhjen e tyre.
Janë të gjitha informacione se ajo po planifikonte t’i jepte ushtrisë për të kryer një “sulm të ri masiv ajror” në rajon.
Asnjë koment nuk erdhi nga Zelenski, përveç një aluzion në takimin e përditshëm me zyrtarët më të lartë ukrainas, gjatë të cilit ai u informua “për punën e vështirë për të luftuar tradhtarët në Ukrainë”.