Plagoset një person në Prizren, policia jep detaje

1 minute, 15 seconds Read

Një person është plagosur sot në Prizren.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Me datën 10.10.2023 rreth orës 14:30 Stacioni Policor Prizren ka pranuar informacion se në rrugën ‘’Transiti i vjetër’’ në Prizren pas një zënke në mes të viktimës mashkull kosovar shqiptar, viti i lindjes 1966 dhe të dyshuarve Sh.M. (viti i lindjes 1993) dhe D.M. (viti i lindjes 1991), dyshohet se njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, njësitet policore relevante me urgjencë i janë përgjigjur rastit. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore në qendrën emergjente në spitalin rajonal të Prizrenit dhe sipas mjekut kujdestar gjendja e tij është stabile.

Gashi ka treguar se në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një armë dhe gjashtë fishekë.

“Zyrtarëve policor kanë arrestuar dy të dyshuarit e lartëcekur dhe në vendin e ngjarjes është konfiskuar edhe një (1) revole e tipit Cervena Zastava e kalibrit 7.65 mm dhe gjashtë (6) fishekë të cilat do të përdorën dëshmi për gjykatën. Rrethanat se si ka ndodhur rast në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke u hetuar nga ana e njësiteve relevante të cilat kanë në vendin e ngjarjes, rasti i cili nga prokurori i shtetit është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’”, ka potencuar Gashi.

Publikime te ngjashme