Petkoviq “jep lajme” nga Brukseli: Momentalisht po thyhen shtizat rreth Asociacionit

1 minute, 25 seconds Read

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur pasditen e sotme se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mundohet që në mënyra të ndryshme ta shmangë obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë momentalisht po thyhen shtiza.

Në pauzë, pas takimit mes Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Petkoviq tha për TV Pink se presidenti serb po lufton për të respektuar Marrëveshjen e Brukselit, transmeton Demokracia.com.

“Kurti po mundohet në çdo mënyrë që të shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit. Ai e bën atë në mënyra të ndryshme dhe me truke të ndryshme. Presidenti Vuçiq po lufton dhe insiston në Asociacion, sepse është obligim i Prishtinës që ekziston për 10 vjet”, ka theksuar ai.

Petkoviq shtoi se pikërisht për këtë po thyhen shtizat dhe pse ka një nervozizëm të madh.

Duke komentuar disa pretendime se sot është “Dita e D” dhe se diçka do të nënshkruhet tashmë sot, apo deri më 15 mars, Petkoviq po ashtu ka theksuar se sot nuk është “Dita e D”.

“Qytetarët e Serbisë do të shohin se çfarë thotë dhe bën presidenti Aleksandar Vuçiq, dhe çfarë po bën opozita në Beograd, e cila po përpiqet të dëmtojë vendin e tyre në çdo mënyrë, do të dalë në dritë. Ne do të flasim për këtë, këtu jemi të fokusuar në dialog dhe Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Petkoviq.

Publikime te ngjashme