Përplasje mes Klinakut dhe Gecit! Geci: “E kemi pritur këtë ditë..”, Klinaku: “Pse drejtësia për Gani Gecin duhet të veprojë në Kosovë e…”

1 minute, 57 seconds Read

Fillimi i gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka sjellë edhe përplasje në Kosovë në lidhje me rolin ne saj. Disa shpresojnë se Specialja do të sjellë drejtësi për familjarët e tyre që ishin viktima të ndonjë forme në luftë derisa veteranët nuk presin drejtësi të mirëfilltë.

Përplasje e ashpër në RTV Dukagjini është zhvilluar mes drejtuesit e Organizatës së veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku dhe ish-deputetit të LDK-së, Fadil Geci.

Fadil Geci ka deklaruar se ditën e fillimit të gjykimit në Hagë ku u përmend edhe Komunikata numër 59 e kanë pritur gjatë.

Ai thotë se prej pushkëve të para në Drenicë kanë qenë ato të vëllezërve Geci, derisa sipas tij Komunikata 59 e lëshuar në emër të UÇK-së “thotë se Gani Geci u ka prirë ofensivës së ushtrisë serbe kur është sulmuar Drenica”.

“Ai që ka shkruar Komunikatën numër 59 nuk është as shqiptarë e as UÇK. Cili shqiptar i thotë bashkëluftëtarit se u ka prirë ofensivës serbe në Drenicë”, ka deklaruar Geci.

Ai thotë se “sot u tha e vërteta dhe të gjithë tashmë e dinë të vërtetën për Komunikatën në fjalë”.

Mirëpo ndaj këtyre pohimeve reagoi Klinaku i cili tha se “duhet të dëgjohet edhe mbrojtja për të parë të vërtetën”.

“Një pyetje: A është Gani Geci në burg. Kush e ka dënuar atë? Pse drejtësia për Gani Gecin duhet të veprojë në Kosovë e për këta tjerët Gjykatë Speciale në Hagë. Ne vazhdimisht e kemi kërkuar që gjykata të jetë e Kosovës”, ka replikuar Klinaku.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku thotë se Prokuroria Speciale padrejtësisht i ka vonuar fillimin e hetimeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Prokuroria Speciale është dashur të përfundojë hetimet, e jo të mbajë dikë në paraburgim që dy vite e gjysmë. Edhe sa e sa vite mund të zgjasë gjykimi, prandaj edhe nëse krerët e UÇK-së shpallen të pafajshëm atyre po u bëhet padrejtësi pasi po mbahen për shumë vite në paraburgim”, deklaroi Klinaku./Telegrafi/

Publikime te ngjashme