Përfundon protesta e shqiptarëve në Bujanoc, kërkohet nga Beogradi që të ndalohet shtypja

0 minutes, 54 seconds Read

Ka përfunduar protesta e shqiptarëve në Bujanoc, me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës i kërkohet autoriteteve në Beograd të ndalojnë shtypjen e shqiptarëve.

Në deklaratë përmenden të gjitha shqetësimet e shqiptarëve të Luginës.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestuan  në sheshin e Bujanocit kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe.

“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, janë disa nga pankartat që protestuesit kanë mbajtur në duar.

Protesta kishte nisur me intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje për të gjithë dëshmorët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare.

Në protestë kanë marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve, në mesin e të cilëve ishin edhe përfaqësuesit e shqiptarë si kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe pjesëtarë të tjerë të Këshillit Kombëtar Shqiptar./Telegrafi

Publikime te ngjashme