Peci kundërshton Presidenten Osmani: Moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, gabim strategjik me pasoja afatgjata

1 minute, 7 seconds Read

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka kundërshtuar deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani se Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, duke e cilësuar moszbatimin e saj si “gabimin më të madh dhe me pasoja afatgjata gjeopolitike” të Qeverisë Kurti.

Në një postim në rrjetet sociale, Peci ka argumentuar se zbatimi i marrëveshjes do ta transformonte Kosovën në një nyje kyçe energjetike dhe infrastrukturore në rajon. Sipas tij, Kosova sot do të kishte gaz dhe do ta shpërndante atë në Shqipërinë veriore, Mal të Zi dhe Serbi.

Ai shtoi se ndoshta tashmë do të ishte afër përfundimit edhe linja hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe do të ishte zgjidhur çështja e menaxhimit të Liqenit të Ujmanit, për të cilën Qeveria, sipas tij, e hodhi poshtë dokumentin e fizibilitetit të hartuar nga SHBA. Peci kujtoi se zyrtarë qeveritarë në vitin 2021 e kishin quajtur këtë projekt si “gaz rus”, pavarësisht se gazi do të vinte nga Greqia dhe në masë të madhe nga SHBA-të.

Analisti vlerëson se pasojat e këtij vendimi janë kaq të dukshme saqë, sipas tij, ‘nga qielli mund të shihet se ajo nuk është zbatuar’. Ai sugjeroi se duhet bërë një vlerësim zyrtar i zbatimit të marrëveshjes, edhe pse përfundimi, sipas tij, është i qartë, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme