Pasi që Sofja zyrtare dëboi priftin rus që spiunonte në Maqedoni, Vuçiq i ofron strehim në Serbi

2 minutes, 18 seconds Read

Pas Shkupit, edhe Sofja zyrtare dëboi priftin rus Vasian Zmeev. Ai ishte kreu i kishës ruse në Bullgari kurse mbulonte edhe territorin e Maqedonisë. Autoritetet bullgare nuk i bëjnë të ditur arsyet e dëbimit të Zmeev dhe dy kolegëve të tjerë priftërinj.

“Veprimet e tyre janë pjesë e raportit me shenjë sekrete. Nuk kam asnjë rol të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimit. Vendimi i takon Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare”, tha Nikollaj Denkov– kryeministër i Bullgarisë.

Agjencitë e lajmeve shkruajnë se personi i padëshirueshëm për Maqedoninë e Veriut, Vasian Zmeev, 48-vjeçar, i cili është prift i Patriarkanës së Moskës, njëherit edhe kryetar i kishës ruse në Bullgari, por edhe përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, është strehuar në Beograd.

Zyrtarë të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut më herët kishin paralajmëruar për keqpërdorimin e “diplomacisë kishtare” nga ana e presidentit rus Putin dhe për ndikime malinje në Maqedoninë e Veriut.

Analistët politikë gjithashtu kanë paralajmëruar se intensiteti i ndikimit dhe propagandës ruse pritet të rritet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor.

Ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Enver Abdullahi, në një intervistë të mëparshme për KdpMK, ka theksuar se intensiteti i ndikimit dhe propagandës ruse pritet të rritet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor e sidomos në Maqedoninë e Veriut, për shkak se vendi gjendet në prag të negociatave zyrtare me Bashkimin Evropian, dhe kjo sipas tij, do të rindez edhe njëherë kampanjën anti-EU.

Rusia ka një traditë të gjatë në Ballkanin Perëndimor që fillon me influencën e saj që nga Rusia Cariste, dhe faktorët janë të shumtë, përfshirë këtu faktorin social, religjioz, influencën e kishës ortodokse etj. Por edhe të qenit në sferën e hegjemonisë pansllavite që është etiketuar komunizimi nga shumë studiues, i lehtëson fushëveprimin e fuqisë së butë Rusisë në Ballkan. Pra, rasti i njëjtë si me Maqedoninë e Veriut, është edhe rasti i Malit të Zi, kur u pavarësua me referendum, po ashtu kur u anëtarësua në NATO. Në këtë kontekst, unë do të shtoj se në Maqedoninë e Veriut, intensiteti i propagandës ruse do të rritet edhe më shumë, pasi që ne jemi tashmë në prag të fillimit të negociatave zyrtare me Bashkimin Evropian, dhe kjo do ta rindez kampanjën anti-EU në Maqedoninë e Veriut“, ka theksuar për KdpMK, ish-diplomati, Abdullahu, duke nënvizuar se pas aneksimit të Krimesë, Rusia e ka rritur intensitetin e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor, duke e parë atë si një mundësi të vetme.

Publikime te ngjashme